Te Boca Jr lind De Rosi mania; prezantimi ndoshta në Bombonera

Në Buenos Aires të gjithë janë të cmendur për Daniele De Rossin. Boca Jr po përgatit të gjithë dokumentacionin për transferimin e ish kapitenit të Romës në kampionatin argjentinas edhe pse së fundmi u fol për tërheqjen përfundimtare të tij nga futbolli i luajtur. Mësohet se tashmë është arritur marrëveshje dhe nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të casteve të fundit, kjo cështje pritet të mbyllet brenda 48 orëve.

Pas kësaj Daniele De Rossi do të udhëtojë drejt Argjentinës për të përqafuar tifozët e tij të rinj dhe parashikohet që pritja për të të jetë madhështore, ndërkohë që Boca Jr po mendon që të bëjë prezantimin e tij në Bombonera. Dhe e gjithë kjo bëhet me një ëndërr të madhe në zemër; fitoren e Kupës Libertadores.

Pas humbjes në finalen e vitit të kaluar me River Plate, trofeu më i rëndësishëm i Amerikës së Jugut për klube, është kthyer në një obsesion për Boca Jr dhe De Rossi duket se është njeriu i duhur për të ushqyer akoma më shumë këtë ëndërr të skuadrës nga Buenos Airesi

sfidanti.al