Mançini merr “diplomën” nga Saki: Seria A të mësojë nga Italia!

Skuadra e Kaltër është jo vetëm në majë për rezultate dhe për pretendime, por edhe për lojën që zhvillon. Roberto Mançini, një trajner që ka fituar, por edhe që është vënë në diskutim tek Interi e Siti, po ia del të krijojë spektaklin, diçka që nuk ka qenë edhe aq shumë në ADN-në e futbollit italian. Këtë e vlerëson pa masë Arrigo Saki, revolucionari i Serisë A, dhe njëri nga trajnerët më të shquar të futbollit të bukur në të gjithë botën.

“Seria A duhet të mësojë nga Mançini, – u shpreh ish-trajneri i Milanit dhe i Italisë, – ai është një shembull, sidomos në këtë kampionat të mbushur me lojtarë të huaj. Puna e bërë nga Roberto dhe të tijtë nuk mund të imagjinohej lehtë, sot të kaltrit janë pararojë drejt së ardhmes, një shembull pozitiv, kurajoz dhe që i jep më shumë vlerë Serisë A”. Saki vlerëson se “futbolli Italisë i është larguar stilit mbrojtës, taktik, të mërzitshëm”.

Sfidanti.al