Inter, ndoshta të duhet trajner i ri! De Bur në prag të shkarkimit!

Mediat italiane nuk kanë asnjë dyshim dhe lajmi i tyre ka marrë dhenë. Trajneri i Interit, Frank De Bur, është në rrezik të madh që të shkarkohet pas humbjes së fundit në Serinë A. Një takim i krerëve të klubit zikaltër është parashikuar për sot, dhe vendimi mund të jetë “me gishtin e madh poshtë” për holandezin. Arsyeja? Aksionerët kryesorë nuk kanë besim që ish-trajneri i Ajaksit mund ta ndryshojë situatën në kampionat, pas humbjes edhe me Atalantën.

“Interi mendon të veprojë menjëherë, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – vendimi do të merret pas bisedimeve në linjën Milano-Nankin-Xhakarta, por kryesisht varet nga bosi kinez, Suning”. “La Gazeta” jep edhe emrat që mund të zëvendësojnë De Burin. Bëhet fjalë për emra që janë kandidatë për momentin, si Pioli, Guidolin e Mandorlini, por edhe për alternativa afatgjata si Leonardo apo Blank.

De Bur ka refuzuar të komentojë këto lajme, duke u shprehur se “unë nuk merrem me mundësinë e shkarkimit tim nga detyra, por vazhdoj të punoj shumë”. Holandezi ka kërkuar kohë, dhe ndoshta presidenti Tohir do t’ia jepte, por aksionerët e fuqishëm kinezë nuk duan të dëgjojnë. Në fund të fundit, ata kanë pasur dyshime që në fillim për De Burin.

B. Kuka