Ibrahimoviçi kujton “luftën” me Materacin, polemikën me CR7-ën!

Karrierën e ka pasur të madhe, por edhe të mbushur me konflikte. Zllatan Ibrahimoviç kthehet në Serinë A ku po i rikujtojnë përplasjen e egër me Marko Materacin, ish-mbrojtësin e Interit. Suedezi bëri një goditje kung fu në derbi ndaj italianit, duke e dërguar në spital, ndërsa sot sqaron. “Kisha 4 vjet që e prisja atë moment, pasi më dëmtoi kur luaja për Juventusin, – u shpreh Ibra, – ishte i keq, luante qëllimisht për të të goditur”. Materaci iu përgjigj me ironi: “Faleminderit Zllatan, pa ty nuk e fituam dot Championsin”. E vërteta ishte e kundërta, që Interi e fitoi Championsin vitin që Ibra shkoi tek Barcelona.

Një tjetër polemikë të madhe, Zllatani e ka pasur me Kristiano Ronaldon. Vazhdimisht ka deklaruar se portugezi nuk i ka merituar Topat e Artë, ndërsa thekson se “Ronaldo ka vetëm një, është sulmuesi brazilian, Fenomeni”. CR7-ta duket se e ka injoruar, por me shumë gjasë do të jenë përballë në Serinë A.

Sfidanti.al