Gafa e Martinez ndaj Realit rikthen dilemën e portës tek Interi

Numri 1 i zikaltërve bëri disa pritje shpëtimtare, por gabimi fatal në rastin e golit të Valverde ishte vendimtar. Aktivizimi si titullar ishte një bast…

Një ngatërresë e shëmtuar u ndodh të gjithëve. Madje gabimi ndodh më shpesh se zakonisht në teatrin, ku u dridhen këmbët edhe gjigantëve të futbollit. Megjithatë, dyshimet që çdo interist kishte që nga vera, mbrëmë dolën në sipërfaqe: këtë vit portieri është një problem.

Në pjesën e parë të sfidës me Realin në Champions, Pepo Martinez i dhuroi një gol Valverdes dhe rezultati shkoi 2-0. “Blancos” kishin shënuar më parë nga një tjetër dhuratë e Interit, me protagonistë Jones dhe Bisseck. Gafa e Martinez ishte shumë e rëndë, duke rikthyer në mendje Radu.

Portieri 28-vjeçar është formuar te Masia e Barcelonës dhe pret një thirrje nga trajneri i kombëtares De la Fuente, prandaj dhe ndeshja në “Bernabeu” ishte speciale, por “takimi i jetës” rezultoi një makth. Gabimi ishte shumë i rëndë dhe asnjë shok skuadre nuk shkoi ta inkurajonte “gardianin”.

Më pas spanjolli bëri disa mrekulli, dy prej tyre ndaj Bellingham. Ai e shpëtoi Interin nga goli i tretë dhe me sa duket, ai nuk njeh rrugë të mesme: gafa ose mrekulli. Kontrasti mbi statusin e dy portierëve në “Bernabeu” ishte i fortë. Portën e Realit e mbron i përjetshmi Courtois dhe belgu është konfirmimi se një “top klub” duhet të ketë gjithmonë një “top portier”.

Në verë drejtuesit e Interit u morën gjatë me çështjen e portierit dhe bllokuan Vicario-n. Ky i fundit shkoi në Torino, kur zikaltrit i komunikuan se nuk do të investonin për një portier. Ata kishin bindjen se Pepo ishte gati për dorezat e titullarit, pas disa sezonesh si zëvendës i Sommer. Spanjolli dukej se kishte gjetur stabilitetin mental, pavarësisht hetimit për një aksident me pasojë vdekjen ende në kokën e tij.

U votua për promovimin e Martinez dhe blerjen e një portieri të dytë, Ivan Provedel. Pas mbrëmjes në Madrid rriten shanset për debutimin më shpejt nga sa mendohej për ish-portierin e Lazio-s. Mbi kokën e Martinez ka një pikëpyetje të madhe.