Ibrahimoviçi e do fort Lukakun, por edhe i vjen keq për belgun!

Kanë qenë që të dy tek Mançester Junajtidi në kohën e Zhoze Murinjos. Zllatan Ibrahimoviç e Romelu Lukaku luajtën krah për krah në sulmin e “djajve të kuq” duke kombinuar e duke shënuar gola. Sot, belgu ka kaluar tek Interi, i kërkuar fuqishëm nga trajneri Antonio Konte, ndërsa suedezi e komenton në një intervistë botuar në “La Gazeta delo Sport”.

“Lukaku ka dëshirë të madhe të ndihmojë skuadrën, – u shprehet Ibra, – forca është pika e tij më e fortë, por teknikisht nuk është shumë mirë. Një herë, kur ishim tek Junajtidi, i thashë se do t’i jepja 50 stërlina për çdo top që e ndalonte (stoponte) siç duhet. Më provokoi duke më pyetur se çfarë do t’i kërkoja nëse do t’i kontrollonte saktë të gjithë topat, dhe unë i thashë se nuk do t’i kërkoja asgjë, thjesht do ta bëja një lojtar më të mirë. Nuk pranoi, ndoshta pati frikë se do të humbiste”.

Sidoqoftë, në fund të përgjigjes, Ibra, shtoi se “Lukaku ka një dëshirë të çmendur për të shkatërruar botën (lexo: Për të fituar), dhe tek Interi do të jetë një sukses”. Garanci për Interin, sipas Zllatanit, jep sidomos trajneri Konte. “Ai është si unë, çdo ditë jep 500 për qind, dhe mendon se suksesi arrihet me sakrifica të mëdha”, – gjykoi Ibrahimoviçi.

Sfidanti.al