Alegri akuzon, por dhe premton: Juventusi nuk ndryshon asgjë!

Nuk dëshironte të dilte i mundur nga “San Siro” ndaj ish-skuadrës së tij, por Masimiliano Alegri është aq i zgjuar sa të përballojë goditjet. Juventusi i tij luajti mirë, madje edhe shënoi, por në Torino u kthye pa pikë. “Për ne nuk ndryshon asgjë, – thotë trajneri kampion, – më vjen keq për humbjen, por kjo nuk do të ndikojë tek ne, dhe vëmendja jonë do të jetë për ndeshjen e radhës”. Alegri ka të drejtë, pasi Juve vinte në Milano me 6 fitore radhazi, ndaj edhe një ndalesë nuk mund ta trondisë aq shumë.

Nuk mungon akuza ndaj gjyqtarit, edhe pse e shoqëruar me fjalët e zakonshme se skuadra duhet të përqëndrohet tek puna e saj dhe të mos merret me gjykimin. “Për fat të keq goli ishte i rregullt, por protestat e Milanit bënë që gjyqtari të dyshojë në vendimin e tij, – u shpreh Alegri, – veçse, ne duhet të përqëndrohemi tek futbolli dhe jo të bëjmë presion ndaj gjyqtarëve. Thjesht, do të doja të dija nëse ishte gjyqtari apo vijërojtësi që e anuloi golin”.

Për trajnerin juventin, skuadra e tij ishte thjesht pa fat. “Milani luajti mirë dhe shënoi, por nga ana jonë, ne ishim në një nivel shumë të mirë teknik, – tha ai, – kontrolluam lojën dhe patën raste, na mungoi vetëm goli”.

B. Kuka