Sëlltikun ka mall për tifozët, por nga 30 000 do t’i lejohen veç 1 000!

Herën e fundit që ishte në fushën e vet, ishte ende koha para koronavirusit, pra me tifozë në stadium. Sëlltiku i Gllazgout luajti në “Parkhed” me 30 000 tifozë në 7 mars, në fitoren ndaj Sent Mirrenit në Premier Ligën e Skocisë, ndërsa klubi i shquar britanik shpreson që t’i ketë tifozët sërish në impiant. Planet janë që ata të lejohen të jenë në ndeshjet miqësore përpara nisjes së sezonit të ri, ndërsa në Skoci u vendos që sezoni që po luhet ende në Europë, të anulohej, ndonëse Sëlltikut iu dha titulli. Sidoqoftë, klubi i “tërfilit” nuk mund të ketë 30 000 tifozë menjëherë, ndonëse drejtuesit mendojnë se mund t’ia dalin edhe me kaq. Sa për fillim, do të lejohen 1 000 njerëz, e pastaj dalë nga dalë, do të shtohen. Siç thuhet, “oreksi vjen duke ngrënë”.

Sfidanti.al