Pogba apo Rashford, kush duhet t’i gjuajë penalltitë tek Junajtidi?!

Nuk kaloi shumë nga përfundimi i duelit të Mançester Junajtidit në fushën e Uolvesit në Premier Ligë, kur në media dhe rrjetet sociale nisën debatet nisur me gjuajtësin e penalltive tek “djajtë e kuq”. Pol Pogba pati mundësinë t’i jepte fitoren miqve, por shpërdoroi penalltinë në pjesën e dytë, me ndeshjen që përfundoi 1-1 në stadiumin “Molino”.

Pyetja erdhi menjëherë: Përse duhet ta gjuante Pogba këtë 11-metërsh vendimtar, kur një javë më parë ishte Markus Rashford që realizoi me sukses ndaj Çelsit në fitoren 4-0? Jo vetëm kaq, por kohët e fundit Pogba ka humbur 3 penallti! Gjithsesi, u theksua edhe fakti se ndaj Çelsit, ishte Rashfordi që fitoi penalltinë dhe mori përsipër ekzekutimin. Në “Molino”, 11-metërshin e fitoi pikërisht Pogba, dhe ndoshta ishte kjo arsyeja që mori përsipër ta kthente në gol.

Trajneri Solskjer u përpoq të mbyllte debatin, duke deklaruar se që të dy lojtarët janë gjuajtësit zyrtarë të penalltive tek Junajtidi, dhe e vendosin mes tyre se kush do të gjuajë 11-metërshin e radhës.

Sfidanti.al