Ozil e Gyndogan, Klop lavdëron gjermanët e Premier Ligës

Do të donte t’i kishte pasur në skuadër, ndërsa për fatin e tij të keq, i ka kundërshtarë në të njëjtin kampionat. Jurgen Klop nuk mund ta humbasë elegancën duke sharë, ndaj nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të lavdërojë patriotët e tij rivalë në Angli. Trajneri i Liverpulit mendon se “produktet” e futbollit gjermanë kanë ndikim të madh në Premier Ligë.

“Mesut Ozil është një futbollist klasi, – u shpreh Klop, – ai ka ndikim të madh në lojën e Arsenalit, dhe është padyshim një nga më të mirët në Premier Ligë”. i marrë fillimisht nga Reali si “diamant” i pastër, Ozil pati probleme me Murinjon dhe sidomos me Karlo Ançelotin, ndërsa më në fund po shkëlqen me Vengerin.

Futbollisti tjetër i veçuar nga Klop është Ilkai Gyndogan, dikë që e njeh mirë. Mesfushori luajti nën urdhërat e Klopit tek Dortmundi, por pati shqetësime me dëmtimet. Kjo nuk e pengoi Guardiolën që ta merrte tek Mançester Siti. “Gyndogan ishte  fatkeq me dëmtimet, – thotë trajneri i Liverpulit, – por, ai është tepër i fortë dhe do ta tregojë veten”. Klop u uron padyshim suksese dy gjermanëve me origjinë turke, por natyrisht më pak sesa skuadrës së tij, Liverpulit.

B. Kuka