Murinjo qesh për herë të parë që nga Krishtlindjet, por Solskjeri “qan”!

U desh të kalonin plot 27 ditë, gati një muaj plot, që Totenhem Hotspuri të regjistronte një fitore. Nga skuadra nënkampione e Europës në fuqi, dhe numri 3 i Premier Ligës, nuk kishte mbetur thuajse asnjë shenjë, por gjithsesi Zhoze Murinjo arriti të qeshë më në fund. Ishte një fitore e vuajtur, 2-1 ndaj Noruiçit, arritur në “Uajt Hart Lejn”, dhe kjo vetëm në minutat e fundit. Në mungesë të sulmuesit kryesor, Harri Kejn, trajneri portugez u shpëtua fillimisht nga Dele Ali, dhe përfundimisht nga koreanojugori Son në 79’. Finlandezi Puki barazoi përkohësisht në 70’ me penallti. Suksesi erdhi në kohën e duhur për Zhozenë, për të cilin thuhej se kishte nisur konfliktet me lojtarët.

Gjithsesi, nëse Murinjo arriti të qeshte sado pak, kjo nuk po ndodh me Ole Gunar Solskjerin. Trajneri i Mançester Junajtidit po provon disfata njërën pas tjetrës, dhe kjo në “Old Traford” ndaj Bërnlit ishte veçanërisht e rëndë. Çdo të thotë kjo, që “djajtë e kuq” të mos i dalin dot për zot as shtëpisë së tyre ndaj një rivali pa emër? Kris Ud dhe Xhej Rodrigez shënuan për miqtë, ndërsa Junajtidi pësoi humbjen e 8-të, në një kohë që ka arritur vetëm 9 fitore. Diferenca me Çelsin e vendit të katërt është 6 pikë, por baraz me pikë janë Totenhemi e Uolvesi, ndërsa Shefild Junajtidi është vetëm 1 pikë më poshtë. Solskjer i ka hyrë një lufte tepër parimore ndaj agjentit të lojtarëve, Mino Raiola, por duket se pozitat e tij nuk janë aq të forta sa për të luftuar në disa fronte.

Sfidanti.al