Lidsi shton edhe një emër në turpet e Kupës, Krauli Taun e mund 3-0!

Edhe nëse merr për bazë vetëm këtë shekull, sërish kemi një listë jo edhe aq të vogël. Lids Junajtidi nuk ka pasur aspak fat në Kupën e Anglisë, ndërsa dështimi i radhës ishte një nga turpet më të mëdhenj. Skuadra e Premier Ligës u eleminua pasi u mund 0-3 nga Krouli Tauni (Crawley Town), ekip i kategorisë së tretë që ndodhet 62 vende më poshtë sesa të bardhët në hierarkinë e futbollit anglez. Trajneri Marselo Bielsa ende është në pritje për të arritur kualifikimin e parë në konkurrimin më të vjetër të futbollit në botë. Gjatë shekullit të 21-të, Lidsi është eleminuar nga Njuporti, Satoni, Histoni, Roçdejli dhe Herefordi, ndërsa tani edhe nga Krouli Tauni. Në shekullin e kaluar, kjo ka ndodhur nga “liliputë” të tjerë si Skanthorpi, Kolçesteri apo Sandërlendi madje në “Uembli”. Për fat të keq për vendasit, nuk pati tifozë në stadiumin e quajtur “Pensioni i Popullit”, por edhe zhurma festive e lojtarëve dhe stafit teknik mjaftoi. Nik Carula, Eshli Nadesan dhe Xhordan Tjuniklif ishin autorët e golave për fitoren më të madhe të skuadrës modeste në historinë e saj 124-vjeçare.

Sfidanti.al