“Kur s’ke pulën, do hash sorrën”, Çelsi donte Nagelsmanin, mori Tuhelin!

Ndoshta është një shprehje e padrejtë për një trajner nënkampion të Europës, por lajmet nga Anglia janë që në “Stemford Brixh” donin një tjetër gjerman. Prej kohësh ishte shkruar se Lampard do të largohej dhe se Çelsi po kërkonte një trajner që të fliste gjermanisht, por shenjat ishin që i parapëlqyeri ishte Julian Nagelsman. Sidoqoftë, ai nuk ishte i disponueshëm pasi deshi të respektonte kontratën me Lajpcigun, ndërsa Tomas Tuhel ishte i lirë pasi ishte shkarkuar nga Paris SG pak javë më parë.

Tekniku 47-vjeçar u prezantua dhe nisi menjëherë punën me Blutë e Londrës, ndërsa në karrierën e tij ka fituar Kupën e Gjermanisë me Dortmundin, dy herë titullin në Francë me Paris SG, po ashtu si Kupën e Francës dhe dy herë Kupën e Ligës. Arritja më e madhe duhet të quhet arritja në finalen e Championsit, për herë të parë për klubin dhe e dyta herë për një ekip francez, humbur 0-1 ndaj Bajernit.

“Unë kam respektin më të madh për Lampardin, – tha Tuheli ndërsa mori detyrën, – të gjithë ne kemi vlerësimin më të madh për punën e Frenkut dhe trashëgiminë që ka lënë ai në klub. Mezi pres që të nis punën për të realizuar objektivat. Është nder për mua që jam pjesë e familjes së Çelsit”.

Sfidanti.al