Junajtid e ka mendjen tek Liverpuli, po Pogba për çfarë mendon?!

E diela në orën 17:00 do të ketë “pjatën kryesore” të javës në Premier Ligë, dhe një nga më të mëdhatë e gjithë sezonit. Mançester Junajtid-Liverpul është dueli më historik në Angli, dhe mbetet tërheqës pavarësisht rënies së madhe të “djajve të kuq”. Gjithsesi, nëse futbollistët e të dyja skuadrave mezi po presin sfidën në “Old Traford”, njëri prej tyre duket se bën përjashtim.

Mediat raportojnë se Pol Pogba qenka takuar me Zinedin Zidanin, ndërsa ndodhej për riaftësim këtë javë në Lindjen e Mesme. Takimi, siç shkruan “Deili Meili” ka ndodhur në Dubai dhe spekullimet janë të natyrshme, sidomos po të kujtosh se Pogba ishte objektiv i Zidanit për ta sjellë tek Reali. Nuk dihet se për çfarë mund të kenë folur dy burrat, por ekziston mundësia që të kenë diskutuar një transferim në Madrid ndoshta verën e ardhshme, apo më shpejt. Përsa i përket ndeshjes ndaj Liverpulit, Pogba mund të jetë i qetë, pasi dëmtimi nuk e lejon që të luajë.

Sfidanti.al