Anglia po mahnitet nga stili i Bielsës, një version argjentinas i spektaklit “Zeman”!

Në Itali u mësuan të thonin “Zemanlandia”, pak a shumë trualli i Zemanit, për të nderuar dhe nënvizuar veçantësinë e stilit të lojës së skuadrave të drejtuara nga trajneri i famshëm çek. Në Angli ende nuk kanë gjetur një epitet, por ama vetëm pas 2 ndeshjesh në Premier Ligë po kënaqen duke shijuar spektaklin që jep në fushë Lids Junajtidi i trajnerit Marselo Bielsa. Për momentin, ndoshta, ai po quhet “spektakli i një të çmenduri”, pasi Bielsa njihet me nofkën “loko” (loco)-“i çmendur”. Lidsi arriti fitoren e parë në kampionat, me të njëjtin rezultat me të cilin humbi ndaj Liverpulit, 4-3.

Skuadra e famshme ka tani golaverazhin 7-7, nuk dihet se çfarë mund të bëjë gjatë gjithë sezonit, por e ka fituar që tani veçantinë që nuk është si asnjë tjetër. “Nuk do ta ndryshojmë stilin tonë të lojës, – premtoi Bielsa pas suksesit ndaj Fulhamit, – do të luajmë në sulm, në mënyrë aggresive, por padyshim që duhet të përmirësohemi. Jam i shqetësuar nga gabimet e shumta në mbrojtje”. Analistët dyshojnë për diçka tjetër, sesi mund të ruhet ky ritëm i çmendur loje për 9 muaj!

Sfidanti.al