Pas turpit në Champions, Barcelona përgatit revolucionin

Te Barcelona tashmë duket se është kthyer në një domosdoshmëri kryerja e një revolucioni në skuadër. Pas asaj që ndodhi në Anfield, trajneri Ernesto Valverde tashmë sheh që t’i jenë tronditur pozitat dhe mund të largohet nga detyra edhe pse kontrata e tij skadon pas një viti. Ndërkaq ndryshime do të ketë edhe në radhët e futbollistëve.
Përforcimi i parë tashmë është bërë që në janar kur u zyrtarizua transferimi i Frenki De Jong nga Ajaksi për 75 milionë Euro si dhe 11 milionë Euro të tjerë në formën e bonuseve. Por Barcelona ka vënë në sëhënjestër prej kohësh edhe Matejs de Ligt edhe ky nga Ajaksi për të përforcuar qendrën e mbrojtjes. Holandezi kërkon kalimin te katalanasit dhe bisedimet sipas El Mundo Deportivo kanë avancuar, por mungon arritja e një akordi me agjentin e lojtarit, Mino Raiola. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, shifrat e operacionit të blerjes së De Ligt janë të njëjtat me ato të De Jong.

Nëse talentet e Ajaksit do të përforcojnë mesfushën dhe mbrojtjen, për sulmin në pole position është Antuan Grizman. Sulmuesi francez ka qenë gjithnjë në vëmendjen e Barcelonës që tashmë e di shumë mirë që ai është penduar për prishjen e paktit verbal për të ardhur në Camp Nou verën e kaluar. Në listën e dëshirave ishte edhe Jovic, por sulmuesi i Ajntrahtit doli prej saj për kushtet dhe cmimin që i kërkuan Barcelonës për të. Për më tepër Grizman ka më shumë uri për fitore trofesh dhe duke nisur nga 1 korriku, klauzola e kontratës së tij me Atletiko Madrid do të reduktohet nga 200 milionë në 120 milionë Euro.

Por Barcelona mendon edhe për largim të lojtarëve dhe ata që kanë më shumë mundësi që t’i japin lamtumirën skuadrës blaugrana janë Ivan Rakitic dhe Filipe Kutinjo. Kroati është vënë në shënjestrën e Interit dhe i kërkoi detaje Bartomeut për cështjen e rinovimit me të, që ai e ka shtyrë që pas përfundimit të Botërorit. Për Rakitic shfaqi interes edhe PSG por pa mundur të paguajë klauzolën e kontratës së tij prej 125 milionë Eurosh.
Një tjetër problem i vështirë për t’u zgjidhur është ai i Kutinjos që nuk i realizoi pritshmëritë. Braziliani ka pretendentët e tij dhe janë në Angli ku nuk mungojnë skuadrat që janë në gjendje që të paguajnë shifra të rëndësishme për të.

sfidanti,al