PSG, një humbje që trondit, por që nuk prish punë!

Le t’i lemë teoritë e konspiracionit, jo se kemi frikë nga ato, por sepse nuk i provojmë dot aq lehtë. Le të presim se çdo të nxjerrë koha, ndaj ta trajtojmë humbjen e Paris SG në Ligën e Parë të Francës, si një aksident i zakonshëm. Kampionët u mposhtën 1-2 në fushën e Dizhonit, njërit prej ekipeve më të dobët të sezonit, që për më tepër kishte edhe dëmtime. Nuk bëri punë goli i Kilian Mbapesë në 19’, dhe fakti se në fushë ishte treshja Mbape-Ikardi-Di Maria, ndërsa pas pushimit hyri edhe Kavani.

Munir Shuiar dhe Jonder Kadiz ishin autorët e golave për vendasit, që sërish mbetën në vendin e tretë nga fundi me vetëm 12 pikë. PSG, në të kundërt, ka diferencë të madhe me rivalët, duke pasur 27 pikë në krye, 8 më shumë sesa Nanta që ende nuk ka luajtur. Habia e vetme për disfatën e “korracatës” së Tomas Tuhelit, vjen nga fakti sesi një ekip që mund 3-0 Realin e Madridit, mundet nga Dizhoni me shumë mungesa?!

Sfidanti.al