Mrekullia franceze, kur Nisa thyen rekordet falë Balotelit!

Në fillim erdhën disa aksionerë nga SHBA dhe Kina. Më pas erdhi trajneri Lysien Favre, dhe pak më vonë ja ku mbërriti SuperMario. Nisa, klubi i vogël i Francës, e rriti edhe më shumë ritmin që kishte qenë i kënaqshëm edhe vitet e kaluara. Sukseset në fushë, kryesimi i ligës franceze dhe paraqitja pa asnjë të sharë në Ligën e Europës, kanë bërë që të shpërthejë “Nisa mania” si dhe “Baloteli mania”.

Klubi po thyen të gjithë rekordet. Fanelat po shiten me shpejtësi, dhe gjysma e tyre është e Balotelit, me mesatare 10 bluza në orë. Llogaria ambicioze është 15 000 fanela në sezon, dyfishi i atyre të vjetshmeve. Tifozët po shkojnë më të shumtë në stadium dhe në stërvitje. Abonimet janë rritur 20 për qind, mesatarja e tifozëve nëpër ndeshje ka shkuar nga 19 000 në 23 000, ndërsa shpërthimi është i madh edhe në rrjetet sociale. Plus 32 për qind në Instagram, plus 18 për qind në FB.

Një milionë njerëz vizituan faqen zyrtare të klubit në internet në muajin shtator, një tjetër rekord që vështirë të thyhet. Baloteli nuk është vetëm, kuptohet, edhe pse është personazhi kryesor. Ai sillet mirë me tifozët, nuk ngurron për autografë dhe foto kur i takon ndërsa shkon e largohet nga stërvitja.

Trajneri Favre ka natyrisht një meritë të madhe. Specialist i vërtetë i taktikës ka arritur që brenda 2-3 muajve të rreshtojë skuadrën me module të ndryshëm, nga 3-5-2, në 4-4-2 dhe në 4-3-3. Franca dhe Europa e kanë një hirushe, dhe tani për tani është Nisa.

B. Kuka