A po nis “Valsi i stolave”? Tuhel, Poçetino, Alegri dhe Solskjer!

Në Paris nuk janë të sigurt se çfarë duhet të bëjnë me stolin. Nëse 10 ditë më parë, Tomas Tuhel u vlerësua si hero për fitoren ndaj Realit pa treshen e sulmit Mbape-Nejmar-Kavani, tani po flitet për një shkarkim të tij të mundshëm. Nuk dihet nëse lajmi mund të quhet i konfirmuar, apo të jetë lojë agjentësh në favor të teknikëve të tjerë, por dihet se tek PSG-ja nuk është se kanë shumë durim.

Fjala është që nëse Tuhel largohet, zëvendësuesi i tij mund të jetë Masimiliano Alegri, njeriu-fitues, por që u largua si i padëshiruar nga Juventusi, për t’i bërë vend “dashnorit të lojës sulmuese”, Mauricio Sarrit. Alegri përflitet në Angli edhe si zëvendësues i mundshëm i Maurisio Poçetinos, teknikut të Totenhemit, që ndodhet në vështirësi. Një herë thuhet se Spërsat mund ta largojnë argjentinasin (dhe të marrin Alegrin), por më pas del se vetë Poçetino mund të zgjedhë të ikë.

Cili mund të jetë stoli i tij i ri? “Deili Meil” shkruan se Mançester Junajtid po diskuton një shkarkim të Ole Gunar Solskjerit për ta zëvendësuar me nënkampionin e Europës në fuqi.

Sfidanti.al