Vijarreal-Barcelona 1-1, nuk mjafton gjithmonë Leo Mesi!

Me një lule nuk vjen pranvera, as kur kjo lule quhet Lionel Mesi. Edhe pse Barcelona mbajti 70  për qind të topit në pjesën e parë, dhe krijoi shumë më tepër sesa Vijarreali, gjithsesi nuk mori dot më shumë se një barazim në fushën e “nëndetëses së verdhë”. Mesi shënoi golin e barazimit në fund fare, goditi shtyllën në pjesën e dytë kur vendasit kishin kaluar në avantazh, i dhuroi sidomos Nejmarit pasime për gola të sigurt (që braziliani i humbi), krijoi kushtet për një penallti që nuk u dha dhe nxorri me karton të kuq lojtarin e Vijarrealit, Zhaume Kosta.

Barça, megjithatë vetëm barazoi dhe mbeti 5 pikë prapa Realit, me madrilenët që kanë luajtur një ndeshje më pak. Nikola Sansone kaloi vendasit në epërsi në minutën e 50-të, dhe Vijarreali po ashtu pati pretendime (besohet të drejta) për një penallti, veçse pas asaj të kërkuar nga Mesi. Argjentinasi vazhdon me shkëlqimin e tij ashtu si edhe në fund të vitit 2016, por skuadra katalanase vazhdon të zhgënjejë, siç bëri në ndeshjen e parë të këtij viti, me humbjen 1-2 në fushën e Bilbaos në Kupën e Mbretit.