“Telefonata” e radhës, Sergio Ramos shpëton sërish Realin!

Një tjetër telefonatë u dëgjua tek kapiteni dhe ai sërish vrapoi të zgjidhte problemin. Sergio Ramos shënoi edhe një herë tjetër ndërsa gjyqtari bëhej gati të vërshëllente, duke shpëtuar Realin nga një barazim i rrezikshëm brenda në “Santiago Bernabeu”. Numri 4 shënoi golin e fitores, për rezultatin 3-2 ndaj Deportivos, dhe madrilenët ruajtën diferencën prej 6 pikësh me Barcelonën. Disa orë më shpejt, katalanasit kishin fituar në stadiumin e Osasunës, 3-0, me golat e Suarezit dhe Mesit (2 herë).
Në një ndeshje që u mendua se do të zgjidhej lehtë, Madridi kaloi në epërsi me Moratën, por me të nisur pjesa e dytë, Hoselu përmbysi shifrat për La Korunjën që dikur ka qenë tmerri i të gjithëve në Spanjë. Ishin minutat 63 e 65, ndërsa reagimi vendas u la për në fund. Në minutën e 84-ët barazoi Diaz, ndërsa në fund u gjet “Zgjidhësi i problemeve”, “Zoti Ramos”. Pas 15 javësh kampionat, Reali ka 37 pikë ndaj 31 të Barcelonës.