La Liga hedh idenë e çuditshme; ‘El Clasico’ të luhet në SHBA ose Kinë

Drejtuesit e La Ligës kanë hedhur një ide vërtet të cmendur; të zhvillojnë disa ndeshje të kampionatit në Kinë ose SHBA dhe këtu nuk përjashtohet ‘El Clasico’ mes Realit të Madridit dhe Barcelonës. Është e përditshmja e njohur financiare ‘Financial Times’ që flet për këtë mundësi duke cituar pikërisht një deklaratë të presidentit të La Ligës, Javier Tebas. ‘Duam që të rrisim reputacionin tonë në arenën ndërkombëtare-tha Tebas-po diskutojmë për mundësinë që disa ndeshje të kampionatit të luhen jashtë Spanjës. Sigurisht është vetëm fillimi, por La Liga e mbështet këtë ide’. Reali i Madridit dhe Barcelona këtë verë luajtën një klasike të vecantë, në Hard Rock Stadium të Miamit një sfidë që përvecse solli në stadium mbi 66 mijë shikues pati edhe një audiencë të madhe televizive. La Liga po e mendon një lëvizje të tillë duke shfrytëzuar më shumë praninë e Ronaldos dhe Messit për të shtuar akoma më shumë të ardhurat që për 2015/2016 ishin 2.5 miliardë Euro, sa gjysma e asaj që përfitoi kampionati anglez. Për t’u theksuar është fakti që La Liga nuk është i pari kampionat që e ka hedhur idenë për të zhvilluar ndeshje jashtë vendit. Në 2008 ishte Premier League ajo që e studioi këtë mundësi por që në fund u detyrua të heqë dorë pasi tifozët, politika dhe media e kundërshtuan me forcë idenë e saj.

sfidanti.al