Blerjet, sërish “thembra e Akilit” që “vrau” Barcelonën e madhe!

Presidenti Bartomeu është një njeri i shqetësuar dhe e ka shumë të qartë se me kë duhet të jetë i zemëruar. Flitet sërish për njeriun-përgjegjës për blerjet, në këtë rast për sekretarin teknik Robert Fernandez. Ai erdhi në klub në 2015, pak pasi Barcelona fitoi Championsin në Berlin nën drejtimin e Luis Enrikes, por puna e tij deri tani nuk e ka lënë të kënaqur Bartomeun.

Eleminimi i papritur ndaj Romës tregoi dobësitë dhe pamjaftueshmërinë e skuadrës së tanishme katalanase, që ishin fshehur nga rezultatet e mira të këtyre muajve. Dominimi në kampionat dhe ecuria pa humbje në Champions nuk ndihmuan në “Olimpiko” të Romës, ku Barça u eleminua nga skuadra italiane me të njëjtin emër.

Blerjet e Robert Fernandezit nuk funksionuan dhe pavarësisht shpenzimeve të mëdha prej gati 500 apo 600 milionë eurove, sërish në skuadër luajnë të njëjtët lojtarë. Ndaj Romës, këta titullarë, si Mesi, Pike, Iniesta, Suarez apo Buskets ishin të lodhur dhe ndodhi katastrofa.

Blerjet kanë qenë të bujshme si Dembele, Deulofeu, Paulinjo, Kutinjo, Semedo, Jerri Mina. Më herët erdhën Arda Turan apo Andre Gomes. Denis Suarez apo Alkaser, por shumica e tyre nuk dolën suksese. Tani pritet vendimi i presidentit.

Sfidanti.al