ICC, Totenhem kap Juventusin në befasi, Kejn gol kryevepër në fund

Juventusi i ri me Mauricio Sarrin debuton me një humbje surprizë ndaj Totenhemit në International Champions Cup. Zonja e Vjetër u dorëuza ndaj londinezëve me rezultatin 3-2 në një sfidë ku ishte Herri Kejn ai që i dha suksesin skuadrës së Pocetinos.

Sfida u zhvillua në National Stadium të Singaporit me Juventusin që luante ndeshjen e herëve të para me Sarrin në pankinë e Rabiot e De Ligt në fushën e lojës me holandezin që u aktivizua në pjesën e dytë. Ishte Totenhemi që kaloi në avantazh në këtë ndeshje me golin e Erik Lamelës, por kampionët e Italisë arritën të përmbysnin këtë disavantazh me golat e Gonzalo Higuain dhe Kristiano Ronaldos.

Emocionet e kësaj sfide nuk u mbyllën këtu sepse Totenhemi shumë shpejt riktheu barazimin në 2-2 falë golit të Lukas Mourës. Kur u duk se sfida po shkonte drejt serisë së 11 metërshave, Herri Kejn shfrytëzoi një gabim të Rabiot dhe pa daljen e portierit Shezni për të bërë një gjuajtje nga mesi i fushës duke e dërguar topin në rrjetë për të shënuar kështu një gol kryevepër që i dha fitoren 3-2 skuadrës së Totenhemit.

sfidanti.al