Fundi i një epoke plot lavdi : Arjen Robben tërhiqet nga futbolli

Arjen Robben nuk do ta shohim më në fushat e lojës. Futbollisti holandez që këtë vit përfundoi kontratën me Bajernin e Mynihut vendosi të varë këpucët në gozhdë dhe t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur edhe pse ofertat për të nuk mungonin.

‘Mora kohën e duhur për të menduar për të ardhmen dhe vendosa që t’i jap fund karrierës sime si futbollist profesionist-tha Robben nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter-ishte vendimi më i vështirë i marrë në karrierën time’,

Në 19 vjet karrierë, Robben ka fituar trofe në Holandë, Spanjë, Angli e Gjermani edhe pse shpesh i është dashur të përballet me dëmtime. Robben e nisi karrierën te Groningen, por talenti i tij u zbulua te PSV Eindhoven duke marrë fillimisht telefonatën e Celsit për të kaluar më pas te Reali i Madridit. Pas kësaj karriera e tij u lidh me Bajernin e Mynihut ku qëndroi për 10 vjet. Pas mbylljes së kontratës me bavarezët, Robben mori oferta nga Kina dhe MLS si dhe nga Groningen që do të mbyllte rrethin e karrierës së holandezit, por në fund Robben vendosi që të tërhiqet përfundimisht.

sfidanti.al