Hysaj në stol, se nuk i peshoi shumë Xhekos…

Napoli ka humbur ndeshjen e tretë rradhazi, mbrëmjen e djeshme sërish në shtëpi ndaj Beshiktashit për Champions, ndërkohë që i ka irrituar ndjeshëm edhe tifozët. Trajneri kishte bërë ndryshime në formacionin e minutës së parë dhe njëri prej atyre që nuk u përzgjodh si titular ishte mbrojtësi ynë Elsaid Hysaj, duke preferuar në vendin e tij veteranin Maxho. Të thuash që ishte një zgjedhje për hir të kampionatit ndoshta është pak e ekzagjeruar, qoftë edhe për faktin se kundër turqëve ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe me një rezultat pozitiv mund t’i siguronte napoletanëve kualifikimin që në ndeshjet e para të fazës së grupeve. Ekipi i Hysajt vinte në këtë përballje me 6 pikë të grumbulluara në po aq ndeshje të luajtura, ndërkohë që ky 90 minutësh mund të shërbente edhe për sheshimin e kontraditave me tifozët, të cilët nuk i kanë kursyer vërshëllimat drejt beniaminëve të tyre, madje as fyerjet ndaj presidentit De Laurentis.

Ndërsa futbollistin shkodran, pas rinovimit me një pagë spektakolare, ndoshta e ka penalizuar një nga golat e Edin Xhekos në ndeshjen e fundit ndaj Romës, të cilin nuk mundi ta ndalojë. Duke iu referuar atij rasti edhe shtypi italian përdori një gjyhë të hidhur, duke e vlerësuar sulmuesin boshnjak edhe për faktin që shënoi me kokë, me një kundërshtarë mbi shpinë. Ky ishte Hysaj, i cili nuk i ka peshuar shumë Xhekos, por për ta parë përsëri në fushë me fanelën e Napolit, ndoshta duhet të presim edhe tri ditë, kur do të luhet ndeshja e rradhës në Seria A, ajo në transfertën e Krotones së vendit të fundit.