Rumenige: Bajerni e falenderon Dortmundin nga zemra!

Dëshira e shefit ekzekutiv nuk mund të jetë tjetër: “Ne duam, para së gjithash, titullin e 8-të radhazi kampion!” Karl-Hajnc Rumenige, fitues si lojtar, i tillë edhe si drejtues, i tregon rrugën Bajernit të tij për sezonin e ri, por gjithsesi thekson nevojën edhe për diçka tjetër. “Konkurrenca nuk fle gjumë, – tha 63-vjeçari, – ne e dimë se Dortmundi do të na sulmojë përsëri, por mendoj se kështu do të bëjë edhe Lajpcigu me Julian Nagelsmanin, pse jo edhe Leverkuseni”.

“Unë shoh kampionatin anglez çdo të diel, – tregoi Rumenige, – jo vetëm sepse është interesant, por edhe sepse është kaq i fuqishëm, atje 5-6 skuadra luftojnë për titullin, dhe kjo është gjë e mirë për kampionatin”. Kjo bën që Rumenige të jetë i lumtur për forcën e shtuar të Dortmundit, edhe pse kjo mund të sjellë telashe më të mëdha për Bajernin. “Vitet e kaluara kemi kaluar diçka që mund të quhet e tmerrshme, – pohoi sinqerisht “Kalle”, – kjo nuk duhet të përsëritet pasi dëmton imazhin dhe financat e Bundesligës. Ne të gjithë jemi të interesuar për konkurrencën, por gjashtë vite të kaluara ne nuk e patëm, derisa erdhi sezoni i kaluar”.

Sfidanti.al