Rrufe në qiell të mbyllur, por lojtarët e Hertës ishin me fat këtë herë!

Frika është e madhe në momente të tilla. Nuk është shaka kur rrufeja godet një avion, dhe diçka e tillë i ndodhi skuadrës së Bundesligës gjermane, Hertës së Berlinit, për fat të mirë pa pasoja. Futbollistët dhe gjithe delegacioni berlinez po udhëtonte pas ndeshjes së fituar 4-0 në fushën e Këlnit, kur papritur mori goditjen nga shkarkesa e fortë elektrike.

“Pati një zhurmë të madhe, thuajse shurdhuese, – tregoi trajneri Mikael Prec, pas zbritjes në tokë, – pranë avionit pati një ndriçim i madh, që mundi ta shikonte secili prej nesh. Tani ne themi se ishte një moment argëtues dhe emocionues, por e vërteta është se na hyri frika në palcë”.

Aeroplanët modernë, siç e ka edhe Herta, janë të përshtatur për të fluturuar në kushte të vështira të motit dhe për të qenë të mbrojtur. Kjo e ndihmoi avionin e Hertës, edhe pse pati stuhi me rrufe gjatë fluturimit. “Kur pashë dritën dhe ndjeva zhurmën, u frikësova shumë, – theksoi edhe futbollisti Zhavairo Dilrosun, – kurrë nuk kisha provuar diçka të tillë në jetën time”. Sipas ekspertëve, pavarësisht sigurisë së niveleve të larta, goditjet e forta të rrufeve mund të sjellin edhe dëmtime të aeroplanëve, madje edhe rrëzimin e tyre.

Sfidanti.al