Rekordmeni i Bajernit, Musiala, e ka zgjedhur kombëtaren e tij!

Si gjithnjë ka dy arsye për të vendosur për diçka, e para ka të bëjë me interesin dhe e dyta me gjërat që ke më pranë. Xhamal Musiala u ndikua pikërisht nga këta dy faktorë për të vendosur se me cilin ekip përfaqësues do të luajë në të ardhmen, Gjermaninë apo Anglinë. Ai ka lindur në Britaninë e Madhe, por ka origjinë nga vendi kontinental, ndërsa vendimi i tij ishte pikërisht për ekipin gjerman. Besohet se 17-vjeçari gjykon se tek Gjermania do të ketë më shumë mundësi të luajë, ndërsa tek Anglia për momentin ka konkurrencë më të fortë. Së dyti, “afër syrit, afër zemrës”, duke qenë se Musiala është lojtar i Bajernit, ishte më e lehtë të kandisej për gjermanët, sepse në ekip ka Nojerin, Zylen, Kimihun, Gnabrinë apo Goreckën, që janë lojtarë të kombëtares. Ndërkaq, Musiala u bë lojtari më i ri që shënon në Champions për Bajernin, në moshën 17 vjeç e 363 ditë. Ai la pas Samuel Kufurin që e bëri në moshën 18 vjeç, 1 muaj e 30 ditë, ndërsa Roke Santa Kruzin shënoi në moshën 18 vjeç, 2 muaj e 10 ditë.

Sfidanti.al