Pavar, Bajerni ka gjetur një tjetër yll nga Franca, pas Lizarazusë!

Nuk po flasim për Frank Riberinë sepse rolet ndryshojnë. Hera-herës në Bavari, francezët kanë shkëlqyer fort, si një lloj dëshmie e lidhjeve që Principata e dikurshme ka pasur me Mbretërinë e Francës, derisa u përfshi nga Bismarku në Gjermaninë e bashkuar. Flasim për Benzhame Pavarin (Benjamin Pavard), yllin e kombëtares franceze, dhe mbrojtësin polivalent 24-vjeçar.

Me rrjetën e shënuar në portën e Dyseldorfit, dhe me dy asistet e dhëna, ai tregoi se çfarë aftësie ka për të luajtur futboll dhe për të qenë rrezik edhe për portën e kundërshtarit, ndonëse luan në prapavijë. Shumëkush po e krahason me Biksent Lizarazunë, francezin me origjinë baske, që u aktivizua për 9 sezone në Mynih dhe fitoi gjithçka me Bajernin, si 6 tituj kampion, 5 Kupa të Gjermanisë, Championsin dhe Kupën Interkontinentale, pasi fitoi Botërorin 1998 dhe Euro 2000 me Francën.

Pavar është në rrugë të mbarë pasi ka dalë kampion bote me Francën në 2018, dhe nuk besohet se është harruar goli i shkëlqyer shënuar ndaj Argjentinës së Mesit në turin e dytë. Me Bajernin po fiton titullin e parë kampion, synon Championsin, e ndryshe nga Lizarazuja di që të shënojë. Ai ka 4 rrjeta deri tani në 38 ndeshje në çdo kompeticion, si dhe 5 asistë. Pavari vlerëson trajnerin e tij, Flik, për nivelin e lojës.

“Kemi relata shumë të mira, – shprehet ai për “Sport1”, – Fliku është një trajner që i qendron shumë pranë lojtarëve”. Vetë Fliku thotë se “unë mendoj që është shumë e rëndësishme për një trajner që një lojtar të mundë të luajë në të 4 pozicionet e mbrojtjes”. Për Pavarin ka pasur edhe kritika, por francezi nuk tronditet: “Edhe Mesi e Ronaldo janë kritikuar, nuk jam kundër kritikave konstruktive, nuk zemërohem me shtypin”.

Sfidanti.al