Humbja më e rëndë në 10 vjet, Bajerni anulon stërvitjen!

Bundesliga gjermane kishte një dekadë që nuk e kishte parë skuadrën rekordmene të dërrmohej në këtë mënyrë. Kjo ndodhi në Frankfurt dhe Bajerni e ndjeu fort disfatën 1-5 ndaj Ajntrahtit. Ndërsa drejtuesit dhe skuadra zunë vend në autobus, pati një diskutim të shpejtë se çfarë do të bëhej të nesërmen, pra sot, dhe vendimi u mor që të mos bëhej stërvitje.

Klubi lajmëroi në Tuiter, kërkoi mirëkuptim nga tifozët, ndërsa nuk dihet nëse seanca u anulua për të mbrojtur skuadrën nga zemërimi i publikut bavarez, apo sepse duhet të ketë ndonjë mbledhje në nivele të larta për të diskutuar krizën. Trajneri Niko Kovaç nuk pati asnjë iluzion ndërsa foli pas ndeshjes. “Unë e di sesi shkojnë gjërat në profesionin tonë, – tha ai, – nuk jam naiv, a i verbër. Gjithsesi, edhe vjet e patëm një situatë të tillë dhe më pas gjithçka shkoi mirë. Nuk u dorëzova vjet, nuk do të dorëzohem as tani, ndonëse e di sesa e vështirë është”. Kovaç ka 490 ditë në detyrë, nuk dihet edhe sa të tjera i kanë mbetur.

Sfidanti.al