Deshamp i përgjigjet Bajerni: Ju kuptoj, por Hernandezin do ta thërras!

Është kohë argëtimi, pavarësisht humbjes së fundit. Gjithsesi, tek Bajerni nuk ka paqe as në Oktoberfest, dhe nervat nuk qetësohen dot as nga shija e birrës së famshme bavareze. Pas konfliktit me Gjermaninë për portierin Manuel Nojer, ja ku vjen përplasja e radhës, ai me Francën. “Molla e sherrit”, nëse mund të shprehemi kështu, është Lukas Hernandez, mbrojtësi që është i dëmtuar, por që mori ftesë nga trajneri i kombëtares franceze, Didie Deshamp. Kjo shkaktoi zemërimin e shefit ekzekutiv të Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, i cili nuk i kurseu akuzat.

“Jam shumë i acaruar nga sjellja e Federatës Franceze, – u shpreh ai, – dua të theksoj se Hernandez nuk luajti për ne në Champions ndaj Totenhemit, dhe as në fundjavë në Bundesligë kundër Hofenhajmit. Nuk duam të ndalojmë lojtarët që të shkojnë në kombëtare, pa problem për Komanin, Pavarin e Tolisonë, por donim më shumë mirëkuptim për Hernandezin”.

Rumenige ishte edhe më shumë i zemëruar me shprehjen e Deshampit, i cili sipas tij u shpreh se “Hernandez dëshiron të luajë për Francën, edhe me një këmbë”. Hernandez u detyrua të shkonte në grumbullim në Klerfonten, për të konfirmuar dëmtimin nga mjekët e kombëtares franceze.

“Bajerni është në të drejtën e tij për të bërë kritika, – ishte përgjigja e Deshampit, – unë nuk mërzitem nga fjalët e thëna. Ne nuk dyshojmë tek diagnoza e tyre, por ndeshja jonë është të premten, pra duhet të shikojmë sesi do të jetë lojtari deri të premten”.

Më herët, bavarezët patën përplasje të fortë me Federatën Gjermane të Futbollit, dhe sidomos me trajnerin Joakim Lëv, për portierin Manuel Nojer. Presidenti Uli Hënes arriti deri aty sa të kërcënonte se nuk do të lejonte asnjë lojtar të Bajernit në kombëtare, nëse Nojer nuk do të ishte titullar, por Lëv u përgjigj se në dy ndeshjet e radhës, një herë do të luajë Nojeri dhe një herë Ter Shtegeni i Barcelonës.

Gjithsesi, konfliktet klub-kombëtare janë më të gjera se kaq. Trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, i kërkoi Deshampit që të mos e aktivizonte lojtarin e bluve, Ngolo Kante, i cili kishte shqetësime dëmtimi. Tekniku i Francës u përgjigj se edhe ai do t’i kërkonte një favor Lampardit, që të aktivizonte më shumë sulmuesin Olivie Zhiru, që po luan pak tek Çelsi dhe kjo i prish punë kampionëve të botës.

Sfidanti.al