Brajtneri e ka sërish me Bajernin: U tallën me Niko Kovaçin

Duket se vendimi është marrë dhe se është pozitiv. Niko Kovaç do të jetë trajner i Bajernit edhe për sezonin e ardhshëm, veçse sa shumë dyshime dhe “peshime” u deshën nga krerët bavarezë si Hënes, Rumenige apo Salihamixhiç. E gjithë kjo “sagë” i la shije të hidhur legjendës tjetër bavareze, Paul Brajtner. Ish-kampioni i botës dhe i Europës sulmoi drejtuesit, ndër të cilët Uli Hënesin me të cilin shkon shumë keq.

“Bajerni u tall me Niko Kovaçin, – ishin fjalët e tij, për gazetën “Tages Cajtung”, – mënyra sesi u sollën me të në gjysmën e dytë të sezonit, nuk ishte e denjë për klubin”. Brajtneri e vlerësoi lart trajnerin kroat, duke e cilësuar si “një nga njerëzit më pozitivë, më miqësorë, më të edukuar dhe më bashkëpunues që unë kam njohur, ndaj më vret shumë kur sillen keq me të”.

Drejtuesit bavarezë, siç dukën, humbën besimin te Kovaçi gjatë krizës së vjeshtës, kur Dortmundi u shkëput në Bundesligë, si dhe pas eleminimit nga Liverpuli në Champions. “Duket sikur Kovaçit i kishin thënë që të fitonte Championsin, ndryshe të largohej”, – komentoi Brajtneri. Gjithsesi, Liverpuli tregoi vete duke eleminuar edhe Barcelonën, ndërsa Paul Brajtner thotë se fajin e ka rënia e nivelit të Bundesligës vitet e fundit.

Sfidanti.al