Botërori 2018, Zvicra vazhdon të fitojë, por përgjigjet dhe Portugalia!

Me katër lojtarë me origjinë shqiptare në fushë, Zvicra vazhdoi me ndeshjet pa gabime në eleminatoret e Kupës së Botës. Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi ishin një bosht i fuqishëm edhe në mungesë të Xherdan Shaqirit, ndonëse golat kundër Ishujve Faroe i shënuan të tjerë. Eren Derdijok dhe Shtefan Lihtshtajner tundën rrjetën e miqve dhe Zvicra ka 12 pikë të plota në 4 takime në grupin B.
Portugalia iu përgjigj helvetëve. Kampionët e Europës mposhtën 4-1 Letoninë, edhe pse nuk e patën plotësisht të lehtë. Ronaldo shënoi golin e parë me penallti, pastaj e humbi 11-metërshin e dytë dhe Artur Zjuzins barazoi papritmas në 67′ për letonezët. Pa kaluar 3 minuta, për fat, shënoi Uilliam Karvaljo, ndërsa në 5 minutat e fundit erdhën golat e tjerë të Ronaldos dhe Bruno Alveshit. Portugalia ka 9 pikë, me një humbje të vetme në Zvicër.
Në grupin H, vazhdon të kryesojë Belgjika, por Bosnjë-Hercegovina mori një pikë të rëndësishme në Greqi. Belgët nuk patën aspak mëshirë për Estoninë duke e mundur 8-1 në Bruksel. Lojtari i Napolit, Drajs Mertens shënoi 2 gola, dy Lukaku, nga një Hazar, Mënier dhe Ferreira-Karrasko. Belgjika ka 12 pikë ndaj 10 të Greqisë e 7 të Bosnjës, me nga 4 ndeshje të luajtura. Ishin miqtë që shënuan të parët në Athinë me autogolin e Karnezisit, ndërsa 10 minuta para fundit dolën me të kuqe Papadhopulos dhe Xheko. Në sekondat shtesë barazoi Jorgo Xhavella.
Në grupin A, Holanda fitoi me vështirësi 3-1 në Luksemburg (Roben, Depai, Depai), dhe Bullgaria mundi 1-0 Bjellorusinë në Sofie me golin e zakonshëm të Ivelin Popovit. Franca kryeson me 10 pikë, Holanda e Suedia kanë nga 7.
B. Kuka