Bejl krahasohet me Bekamin, ndërsa edhe Kina çmendet nga topi

Njëlloj si Bitëllsat e viteve 60-të apo Elvis Presli i viteve 50-të, edhe yjet e sotëm të futbollit, janë kthyer në magnet për njerëzit. Këtë e provoi Garet Bejl pasi përfundoi udhëtimin 30-orësh nga Europa drejt Kinës për të marrë pjesë në ndeshje miqësore të kombëtares së tij të Uellsit. Ai u “sulmua” nga qindra tifozët të zakonshëm kinezë, të cilët mezi prisnin ta shikonin nga afër, ndërsa ishin “ngopur” duke e parë nga televizori.

“E prisja diçka të tillë, – tha ylli uellsian, – pasi e mbaj mend mirë sesi e pritën Bekamin kur erdhi në Kinë me Realin apo Mançester Junajtidin”. Futbolli, i propaganduar nga televizioni, është një nga “drogat” moderne të njerëzimit, diçka e cila mund të quhet edhe diçka negative. Gjithsesi, ky lloj obsesioni i njerëzve sjell fitime për klubet, por edhe për kombëtaret. Uellsi, p.sh., do të marrë më shumë se 1 milionë euro që pranoi pjesëmarrjen në “Kupën e Kinës”, por nëse nuk do të kishte qenë Bejli, shifra do të kishte qenë më e vogël.

Sfidanti.al