Përballje gjigandësh në Euroligë, CSKA humb, por sërish kryeson

Tri përballje të mëdha u luajtën në javën e 22-të të Euroligës. Në Madrid, Valencia dhe Athinë pati sfida të forta ku rezultati ishte i paqartë deri në fund.

Në Madrid, Olimpiakosi triumfoi vetëm me një pikë ndaj Realit, 80-79. Olimpiakosi zhvilloi një lojë kolektive për të përballuar Realin, që mbështetej nga gati 12 000 spektatorë. Jorgos Princezis udhëhoqi grekët me 21 pikë, por edhe me dominimin e tabelave, veçse gjithë skuadra nga Pireu ishte e fortë. Për Madridin, si zakonisht shkëlqeu Luka Donçiç, me 19-vjeçarin që shënoi 27 pikë dhe me amerikanin Tompson me 20.

Në Spanjë u luajt edhe një përballje tjetër e madhe, ajo mes Valencias dhe CSKA-së së Moskës. Spanjollët ia dolën në fund ndaj skuadrës më të fortë të sezonit duke fituar 103-99. Edhe këtu u desh një lojë kolektive e vendasve që të përballonin superfuqinë ruse. Tomas, Abalde, Dubljeviç, Martinez, Grin dhe Pleis ishin që të gjithë shumë të mirë. Për moskovitët, ishin “shtyllë” Nando De Kolo (30 pikë) dhe Klajbërn (27 pikë).

Përballje rivalësh ishte edhe Panathinaikos-Baskonia që përfundoi 80-76 për grekët. Kampionia e Europës në fuqi, Fenerbahçe, triumfoi në Stamboll ndaj Broze Basketit, 77-69. Në renditje, CSKA vazhdon të kryesojë me 17 fitore e 5 humbje, ndjekur nga Olimpiakos e Fenerbahçe me nga 15 fitore e 7 humbje.

Sfidanti.al