Me nisje në 1829 është padyshim një nga garat më të vjetra sportive e botës. Quhet thjesht “Gara e Varkave” dhe është ajo mes dy universiteteve, Kembrixhit dhe Oksfordit, dy prej universiteteve më të vjetër të Europës dhe të botës. Edicioni i fundit u zhvillua pikërisht dje pasdite dhe u fitua nga Kembrixhi, ekipi që kryeson rezultatin historik me shifrat 83-80, ndërsa njëra garë ka përfunduar barazim.
Ishte një fitore bindëse e “Ekipit Bojëqielli” (ose Blu të Çelur) ndaj “Ekipit Blu” (apo Blu të Errët), arritur me kohën 17’51” dhe me diferencë me rivalin. Besohet se ishin rreth 250 000 dashamirës të garës duke e ndjekur atë në brigjet e lumit Tamiz të Londrës, në gjatësinë e saj klasike prej 6.8 kilometrash.
Kembrixhi pati gëzimin që të fitonte edhe garën e femrave (me kohën 19’09”), një konkurrim më i ri, por që gjithsesi ka krijuar historinë e vet. Tek studentet, bilanci është 42-30 për kembrixhaset. Jo vetëm kaq, por Kembrixhi fitoi edhe garat e skuadrave “rezervë”, gara të krijuara në mesin e viteve 60-të. Kjo do të thotë, se Kembrixhi fitoi 4-0, pra pati një dominim total në edicionin e vitit 2018. Ky Universitet mban edhe rekordin e shpejtësisë, vendosur në 1998, kur e përshkoi itineratin për 16’19”.
Sfidanti.al