Stanislav Çerçesov është një njeri që rrezaton besim, diçka shumë e rëndësishme për ekipin e tij. Trajneri i Rusisë, një ish-portier i fuqishëm, nuk e pati aspak të lehtë që të mbërrinte deri këtu, me ekipin thuajse të kualifikuar për në fazën e dytë të Botërorit. Burri krenar me origjinë nga Osetia vuajti shumë që nga vera e 2016-ës, me një ekip që nuk donte e nuk donte të krijohej. Deri në prag të Botërorit, ai e drejtoi Rusinë në 20 ndeshje, duke fituar vetëm 5 e duke humbur 9, me 26 gola të shënuar e 31 të pësuar.
Papritur gjithçka ndryshoi dhe erdhën dy suksese radhazi në Botëror, me golaverazh 8-1. “Dita më krenare e jetës sime, – tha ai, pas takimit me Egjiptin, – shpresoj të vazhdojmë vetëm përpara”. Çerçesovi analizoi ndeshjen duke theksuar se “e dinim se Egjipti duhej të sulmonte për t’i dhënë shpresë vetes dhe kjo na voliste”. “Është tjetër gjë që të duash diçka dhe tjetër gjë të kesh shpresë, – vazhdoi ai, – dhe ne e dinim se egjiptianët kanë vështirësi kur diçka duhet ta bëjnë patjetër. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë koha punonte për ne”.
Sfidanti.al