“Bizneset” e Murinjos, 90 milionë euro për dy yje në “Old Traford”

Kur Nemanja Matiç u largua nga Çelsi, kartoni i tij vlejti vetëm 5 milionë stërlina. Në momentin kur Zhoze Murinjo u kthye në “Stemford Brixh” që nga Reali, e kërkoi sërish mesfushorin serb, dhe e mori duke paguar 21 milionë stërlina. Më pas, portugezi shkoi tek Junajtid, ndërsa Matiç doli kampion i Anglisë me Çelsin e Antonio Kontes. “Dashuria” e vjetër e Zhozesë për Nemanjën nuk është shuar dhe trajneri i “djajve të kuq” kërkon ta sjellë në “Old Traford”. Tashmë, “projeksioni” i vlerës së kartonit të mesfushorit arrin në 40 milionë stërlina. Futbollisti dëshiron të punojë me Murinjon dhe kjo ka shumë rëndësi.

Objektiti tjetër i trajnerit të Mançester Junajtidit është Raxha Naingolan, që ndoshta i do që të dy lojtarët në skuadër. Belgu i Romës mund të kushtojë po kaq sa Matiçi, 40 milionë stërlina, pra biznesi i dyfishtë mund të shkojë mbi 90 milionë euro. Naingolan është 29 vjeç dhe Roma mund të bindet ta transferojë, pasi mosha mund të bëjë që vlera e kartonti të tij të bjerë. Sezonin e kaluar, ai shënoi 11 gola për kryeqytetasit që zhvilluan një Seri A për rekord.

Sfidanti.al