Anglia, parajsa e futbollit: Edhe ligat e ulëta paguajnë rroga milionere!

Janë gjëra që pak bien në sy në një vend pak a shumë “për të qenë” si Britania e Madhe, por që shkaktojnë habi dhe madje zemërim, në këtë periudhë ngushtice financiare për shkak të koronavirusit. Drejtuesit e Ligës Angleze të Futbollit (që përfshin nga kategoria e dytë deri tek e katërta) u kanë kërkuar klubeve që të raportojnë pagesat që bëjnë për lojtarët e trajnerët, dhe shumica e tyre janë përgjigjur.

Nga dokumentet e përpiluara prej përgjigjeve, është krijuar një dosje që Liga e Futbollit nuk dëshiron që ta shikojnë “sytë e huaj”, por mediat britanike ia kanë dalë që të “fusin hundët” dhe kanë botuar disa prej shifrave. Në kategorinë e dytë (Championship) mesatarja e rrogës për një lojtar është 1.5 milionë paundë stërlina në vit, madje rekordmeni merr 3.5 milionë!!! Natyrisht, jo të gjithë në Championship mund të japin këto rroga, por gjithsesi “i varfër” quhet ai klub që paguan 440 000 paundë stërlina në vit, që do të thotë mbi 10 000 euro rrogë në javë! Hajde, varfëri, hajde! Për trajnerët, maksimumi është 3.5 milionë paundë stërlina në vit, ndërsa mesatarja është 880 mijë në vit.

Në kategorinë e tretë dhe të katërt ka kulme me mbi 800 000 paundë stërlina në vit, por mesatarja është 250 000 paundë në vit për kategorinë e tretë (Liga 1) dhe 114 00 paundë në vit për të katërtën (Liga 2). Natyrisht, në ka klube që i japin një lojtari vetëm 13 000 paundë stërlina në vit, pra këta futbollistë duhet të jenë patjetër të dypunësuar.

Sfidanti.al