U bënë disa vjet që fitojnë. Një sport i traditës si volejbolli është kthyer te klubi i Partizanit, dhe sërish u fituan të dyja kupat e Shqipërisë. Për femra e për meshkuj, ekipet e kuqe ia dolën në finale ndaj rivalëve, duke shpërblyer punën e mirë që ka nisur disa kohë më parë. Në finalen e femrave, Partizani fitoi 3-0 ndaj Tiranës në Sallën Olimpike në kryqytet, duke mos e diskutuar suksesin. Rezultati i seteve ishte 25-20, 26-24 e 25-16. Ky ishte trofeu i parë në karrierë i trajnerit Andi Lundra, ndërsa vajzat e kuqe kanë qenë të sukseshme edhe më parë. Kjo ishte kupa e tretë e kryeqytetaseve në 4 sezonet e fundit, ndërsa vjet fitoi ekipi i Universitetit “Marin Barleti”. Vlen të theksohet se vajzat e Partizanit fituan kupën e parë të Shqipërisë në histori në 1954, por më pas volejbolli u dominua nga Tirana, Vllaznia, Skënderbeu e sidomos Dinamo.
Finalja për meshkuj ishte shumë e fortë. Partizani u ndesh me Erzenin dhe u deshën pesë sete për të përcaktuar fituesin. Ekipi i trajnerit Ylli Tomori ia doli ndaj shijakasve të trajnerit Arben Sako, pas një lufte të gjatë me rezultatin e seteve 25-23, 18-25, 23-25, 25-19, 15-10. Ishte një përsëritje identike e finaljes së vjetshme, luajtur mes Partizanit dhe Erzenit, që përfundoi po 3-2. Kjo ishte pra kupa e dytë radhazi për të kuqtë dhe e 13-ta në histori, duke qenë skuadra e tretë me më shumë trofe të tilla në Shqipëri, pas Dinamos me 18 dhe Studentit me 16.
Sfidanti.al