Imoko Koneliano nuk është më mbretëreshë e rruzullit në sportin e rrjetës për femra. Skuadra e madhe italiane u detyrua të përkulej këtë herë përballë një rivali të denjë si Vakëfbank i Stambollit që fitoi finalen e Kupës së Botës për klubet me shifrat 3-2 me sete. U desh një luftë e ashpër, sidomos në setet nga i dyti deri në katërtin, luftuar pikë më pikë. Rezultati i seteve ishte 25-15, 22-25, 25-22, 22-26, 15-7 për turket!
Dy rivale të mëdha u ndeshën në Arenën e Ankarasë, në prani të 12 000 tifozëve turq që mbështetën skuadrën e tyre nga fillimi deri në fund. Hak nga ekipi stambolli dhe Egonu nga ekipi italian luftuan fort, me 28 pikë për lojtaren e Vakëfbankut dhe 35 për atë të Konelianos. Imoko humbi kështu finalen e parë pas 2 vitesh fitore në çdo konkurrim, ku kishte dalë kampione e Italisë, kampione e Europës dhe kampione e botës. Ishte edhe dueli i dy trajnerëve italianë, Guideti të Vakëfbankut dhe Santarelit të Imokos, fituar me meritë nga i pari.
Sfidanti.al