Uestbruk, padyshim që nuk je njerëzor, 44 pikë e tripëll dabëll

Majkëll Xhordani e tha gjysmë me të qeshur dhe gjysmë seriozisht, se gjëja më e vështirë është të fitosh tituj. Lebron Xhejmsi dhe Stefën Kërri do të ishin dakord, por gjithsesi ajo që po bën Rasëll Uestbruku mbetet aspak e zakonshme. Edhe pse Oklahoma u mund në ndeshjen e fundit, kontributi i tij ishte i shkëlqyer.

Plot 44 pikë, 14 topa në tabela, 11 asistë, 1 vjedhje topi dhe 2 bllokime gjuajtjeje të kundërshtarit. E gjitha kjo me 18 gjuajtje të sakta në 30 të provuara, një mesatare tepër e mirë. Ishte tripëll dabëlli i 128-të në karrierë për Uestbrukun, që ndodhet vetëm 10 tripëll dabëlla prapa vendit të dytë, Mexhik Xhonsonit, në renditjen e të gjitha kohëve.

Uestbruk vazhdon me mesataren sezonale prej tripëll dabëlli, duke pasur mesatarisht 21.7 pikë për ndeshje, 11.2 topa në tabela për ndeshje dhe po 11.2 asistë për ndeshje. Asnjë basketbollist nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë, në të gjithë kohën që është luajtur NBA-ja.

Oklahoma u mund 122-131 në fushën e Nju Orlinsit, duke mbetur në vend të tretë në Perëndim, pavarësisht lojës së numrit 0, apo edhe të Pol Xhorxhit, që pati 28 pikë, 7 topa në tabela, 6 asistë.

Për vendasit, Entoni Dejvis nuk shkëlqeu aspak këtë herë, pasi u dëmtua dhe doli nga fusha parakohe. Ai shënoi vetëm 14 pikë, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 2 asistë. Nju Orlinsin e udhëhoqi Xhulius Randëll me 33 pikë, 11 topa në tabela e 6 pasime për kosh.

Sfidanti.al