Tragjedi në Gjermani, humb jetën piloti Luca Salvadori

Një aksident në cirkuitin rrugor Frohburg Dreieck, në Gjermani, ishte fatal për Luca Salvadori. Piloti tridhjetë e dy vjeçar nga Milano pësoi një aksident të rëndë në xhiron e parë të kualifikueseve të rezervuara për SBK/STK 1000 të fazës së gjashtë dhe të fundit të IRRC (International Road Race Championship) i cili mbahet kryesisht në vendet e Evropës Qendrore. Aksidenti ka ndodhur për shkak të një kontakti me gjermanin Didier Grams që në fazat e para të provave por dinamika e tij është ende për tu qartësuar. I transportuar menjëherë në spital, Luca ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda të pësuara.

Shumë aktiv në rrjetet sociale, Salvadori bëri debutimin e tij katërmbëdhjetë vjet më parë në kampionatin italian të supersportit, duke mbërritur në Kampionatin Botëror të Supersportit në vitin 2013. Luca më pas vazhdoi karrierën e tij me sukses të alternuar midis Supersport dhe Superbike dhe vitin e kaluar ai mbërriti në kampionatin botëror MotoGP dhe mori pjesë në kampionatin Moto E me një Pramac Racing Ducati. Ai e mbylli sezonin në vendin e shtatëmbëdhjetë në klasifikimin e përgjithshëm. Në curriculumin e tij përfshihen edhe disa gara me makina në rally.

Luca ishte një influencues dhe YouTuber shumë i ndjekur dhe i vlerësuar. Por kjo, pa e braktisur plotësisht pistën. Këtë vit Salvadori kishte dominuar kampionatin italian të shpejtësisë në ngjitje, duke përmirësuar rekordet pothuajse në të gjitha garat e kalendarit. Garat rrugore ishin pasioni i tij më i fundit, ato që i kushtuan jetën në cirkuitin rrugor të Frohburg Dreieck, pesëmbëdhjetë kilometra në jug të Leipzig, ku ishte kthyer për të marrë pjesë në IRRC pas dy testeve të para në fillim të sezonit.

sfidanti.al