Tenis, Toronto mbetet pa yje

Masters 1000 i Torontos po kthehet në një nga “viktimat” kryesore të kalendarit të ngarkuar të sezonit në tenis. Pas konfirmimeve të mungesave të Jannik Sinner, Novak Djokovic dhe Jack Draper, Carlos Alcaraz do të jetë emri i radhës që nuk do të marrë pjesë në këtë turne prestigjioz, siç mëson gazeta spanjolle ‘Marca’.

Alcaraz ka vendosur t’i dëgjojë sinjalet e trupit të tij dhe do t’i japë përparësi pushimit fizik, për të qenë në formën më të mirë të mundshme për US Open, turneu i fundit “Grand Slam” i vitit, që zhvillohet nga 24 gusht deri më 7 shtator.

Tenisti spanjoll do t’i rikthehet stërvitjes fizike javën e ardhshme, por nuk planifikon të zbresë në fushë për stërvitje teknike përpara 28 korrikut. Në fund të asaj jave ai do të udhëtojë drejt Cincinnati-t për të marrë pjesë në Mastersin tjetër 1000, që paraprin garën e madhe në Nju Jork. Në turneun e Ohio-s, Alcaraz do të shoqërohet nga trajneri Samuel López, ndërsa për US Open në pankinë do të rikthehet trajneri i tij i zakonshëm, Juan Carlos Ferrero.

Edhe pse ka vendosur të pushojë, Alcaraz e di mirë që objektivi për të përfunduar sezonin si numri një botëror është real. Ai aktualisht është në krye të Race 2025, me 1.540 pikë avantazh ndaj Jannik Sinner, ndjekësi i tij më i afërt.