Superkontrata e Stef Kërrit, NBA kalon futbollin në çmendurinë e parave

Stefën Kërri rinovon për Golden Stejt Uorriors dhe bëhet lojtari më i paguar në historinë e NBA-së. Dy herë basketbollisti më i mirë i ligës më të madhe të botës (dhe dy herë kampion), bëhet i pari në histori që firmos një “megakontratë” apo “maksikontratë” me vlerë mbi 200 milionë dollarë (saktësisht 201). Pasioni i madh i publikut, pasion që gjeneron të ardhura të jashtëzakonshme për këtë kampionat, bëri të mundur një çmenduri të tillë, ndërsa 200-milionëshi do të jetë norma e kontratave edhe për yjet e tjerë të mëdhenj si Lebron Xhejms, Kevin Durant, Xhejms Harden apo Rasëll Uesbruk.

Ylli i Golden Stejtit do të ketë rrogë vjetore 40 milionë euro, diçka me të cilën NBA lë prapa ligat më të mëdha të futbollit në Europë, ndërsa çmenduria duket se do të vazhdojë të thellohet, me yjet e sportit që do të jenë në një planet tjetër në krahasim me qytetarët e thjeshtë dhe me vetë tifozët e tyre. Kjo, besohet do të vazhdojë për shumë kohë, derisa sistemi të ketë një ndryshim.

Kërri kishte më parë një rrogë “modeste” prej 44 milionë dollarësh në 4 vjet, vërtet modeste për standardet e tij dhe të NBA-së, por kjo sepse basketbollisti kishte probleme dëmtimesh. Ai mori lavdërime edhe nga rivali kryesor, Lebron Xhejms, ndërsa do të kërkojë të fitojë sezonin e ardhshëm, titullin e tretë në 4 vjet.

Sfidanti.al