Simone Biles sfidon moshën

Superyjet nga bota e gjimnastikës, duke përfshirë edhe Simone Biles, do të performojnë në 30 arena nëpër SHBA gjatë kësaj vjeshte me turneun “Sportistët e medaljeve të arta”. Ata do të bashkojnë talentin e tyre në një spektakël të lartë bashkë me kërcimtarë të vërtetë të rrymës pop. E rikthyer në SHBA, Biles nuk i shpëtoi dot gazetarëve, të cilët e pyetën menjëherë se përse qëndroi kaq gjatë në Paris, pas Olimpiadës. “Kisha dëshirë të bëja pak pushim dhe ku ka më bukur se në Paris. Tani ndihem e çlodhur, mjaft e shëndetshme. Thjesht jam duke bërë terapi, si zakonisht për trurin. Sepse nëse ai është në rregull edhe trupi do të funksionojë si duhet”.

Në 19 tetor në Hjuston do të zhvillohet shfaqja e parë. Dhe për ata që nuk kanë qenë asnjëherë, çfarë u premton Biles. “Është një lloj feste në SHBA, performancë shumë e lartë energjie. Muzikë shumë e mirë dhe emocione. Do të jenë gjimnastët e Olimpiadës, djem dhe vajza. Si dhe të ftuar nga jashtë Amerikës. Shpresojmë të frymëzojmë gjeneratën e ardhshme me këtë shfaqje”. Simone Biles, 27 vjeç, me rezultatet e arritura po sfidon në sportin e gjimnastikës. Por edhe sa kohë do të vazhdojë ajo. “Sa herë që jam në palestër e shikoj që po plakem. Por si një verë e mirë padyshim. Ndaj them që me kalimin e moshës po bëhem më e mirë”. E teksa ishte me pushime në Paris, Simone Biles i lejoi vetes të hante edhe një briosh, edhe pse e di që ato kalori do t’i duhet shumë punë për t’i larguar nga trupi.

sfidanti.al