Shumaher i sheh garat e Formula 1, por e ka vështirë që të flasë!

A mund të kthehet sërish si dikur? Po mbushen gati 5 vjet që pamjet  Mikael Shumaherit, herë si pilot, herë në krah të gruas së tij Korinës, janë kthyer në një histori e hershme, por legjenda e Formula 1 ndoshta po e merr veten. Një shpresë e jep ish-shefi i tij tek Ferrari, Zhan Tot, i cili lëshoi disa deklarata lidhur me shëndetin e ish-pilotit gjerman, shtatë herë kampion i botës.

Gazetat u hodhën menjëherë përpjetë. “Marka” në Spanjë: Zhan Tot: Shumaher përmirësohet, i shohim së bashku garat e Formula 1”. “Deili Meil” në Angli: Mikael Shumaher po lufton për t’u përmirësuar, dhe ende shikon në televizor garat e Formula 1, pohon ish-shefi i Ferrarit, Zhan Tot! “Il Korriere delo Sport” në Itali: Shoh garat e Formula1 së bashku me Shumaherin, thotë Zhan Toti! Mikael nuk dorëzohet dhe vazhdon të luftojë! Është në duart më të mira të mundshme!

Në të vërtetë, Tot sqaron se shëndeti i Shumit nuk është ende shumë i mirë, komunikimi mes tyre nuk është si dikur, për shkak të gjendje së gjermanit, por drejtuesi i madh francez thekson se piloti gjerman këmbëngul dhe shpreson për t’u përmirësuar edhe më shumë.

Mikael Shumaher pësoi aksidentin e rëndë në kompleksin turistik në Alpet e Francës, në dhjetor 2013, duke qenë pranë vdekjes. Ai u ndodh në koma, me dëmtime të mëdha në kokë, u mbajt në spital për një kohë të gjatë, ndërsa më pas familja e mori në shtëpi, nën kujdes të vazhdueshëm të mjekëve.

Besohet se shpenzimet në 5 vjet kanë arritur në mbi 22 milionë euro, ndërsa tifozët e Ferrarit nuk e kanë harruar kampionin e tyre. Shumaher fitoi 7 tituj kampion në Formula 1, dy me Benetonin dhe 5 me Ferrarin, në një karrierë që vazhdoi për 17 vjet.

Sfidanti.al