Shqipëria pranë të artës në Botërorin e mundjes, edhe pse me kampionin çeçen, Abakarov!

Presidenti i Federatës, Sahit Prizreni, ka qenë i fundit që ka sjellë një medalje të madhe në këtë sport për vendin tonë, ashtu si edhe shkodrani Elis Guri. Për momentin, Shqipëria nuk ka kampionë të tillë “autoktonë”, por jemi në epokën e natyralizimeve ndaj edhe le të gëzohemi për medaljen që na japin ata që na vijnë nga jashtë. Pasi na e siguroi medaljen europiane në gjimnastikë rusi Petrov, tashmë e kemi një të tillë në mundje nga Zelimhan Abakarov. Edhe ky mundës është me nënshtetësi ruse, ndonëse nga Çeçenia, dhe arriti në finalen e peshës së tij deri në 57 kg në stilin e lirë. Në gjysmëfinale, Abakarovi mundi rivalin e fortë nga Serbia, Stevan Muçiç, ndërsa në finale do të jetë këtë të shtunë ndaj amerikanit Tomas Gilman në orën 18:00 në Arenën e Beogradit. Po këtë të shtunë, në tapet del mundësi tjetër me origjinë çeçene, Islam Dudajev në peshën deri në 61 kg.

Sfidanti.al