Sherman Valiev, një tjetër rus për kombëtaren shqiptare të mundjes, i cili startin e tij si kuqezi do ta ketë në Kampionatin Europian të të rriturve në Bukuresht. Ai do të konkurrojë në peshën deri në 74 kilogram në stilin e lirë, kurse Sahit Prizreni zbulon se si dhe si u bë i mundur rusi i tretë për tapetin kuqezi. Madje duke falënderuar dhe ata që e bënë të mundur këtë ardhje. “Është bërë një punë e madhe. Gjej rastin të falënderoj presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që ka ndihmuar për të marrë lejen e qëndrimit në Shqipëri të Valiev. Madje dhe vizën në një kohë të shkurtër, gjë që bëri të mundur licencimin në Federatë Botërore”, nënvizon i pari i mundjes shqiptare.
Shqipëria përfaqësohet po në mundjen e lirë nga Zelimkan Abakarov në peshën 61 kilogram dhe Islam Dudaev në peshën 65 kilogram. Në mundjen klasike Gjetë Prenga në peshën 67 kilogram dhe Kelsi Nelaj në peshën 82 kilogram. Kurse në mundje për femra, në peshën 68 kilogram, Albina Drazhi. E Prizreni është i bindur se do të ketë medalje në këtë Europian.
“Shpresoj që Shqipëria dhe jam i bindur me këtë që jo me një medalje, por me disa të tilla nga ky Europian”, thekson Prizreni. Lojërat Olimpike “Paris 2024” janë një tjetër objektiv për mundjen shqiptare, ndërsa dhe pas Europianit ka të tjera shanse kualifikimi me normë. “Para Olimpiadës kemi dhe dy kualifikuese të tjera dhe Shqipëria e mundja synon dhe dy-tre norma të tjera kualifikimi përveç asaj të Zelimkan Abakarov”, përfundon Prizreni.
sfidanti.al